Rrëfime nga karantina 20 vjeçare

Atë natë të prillit 1999 kemi dale prej shpisë unë me babën dhe motrën. Nana me motrën dhe vëllain me të vogël kanë nejtë në shpi.
Për shkak se dy motrat jena konë të fejume, baba kish frike se po na ndodh diçka, vendosem me u largu. Kur arritem në një fshat u bashkuam me një grup shume të madh njerëzish që ishin nise për Shqipni. Krejt në këmbë jemi nisë. Tu shku rrugës në një fushe kemi pa shume trupa njerëzish. Ne fillim kemi kujtu se janë cunga të druve se shumë terr e nuk i dallojshim.
Kur motra i pa të vdekurit në toke e na qysh zieshim ne trupat e tyne i ra të ligtë. Nuk e kisha ujin ngat veti e me tomel të një fëmije që ma kishin dhëne në dore e kam strepik deri sa u kfillë.
Krejt grupi përseri e kemi vazhdu rrugen. Nuk ka shku shume, veq kur i kena ndi krismat dhe e kemi kuptu se kemi ra në pritë.
Unë jam rrëzu, po se kam dite se jam e plagosne, merrsha mu qu po trupi m’u rrëzoke. Rreth meje ka pas shumë të vdekun e të plagosun. Motrën e kam pa ngatë me një plumb në ballë. Kur u dale drita e kam pa babën ma tutje qe e kishin vra.
Në mëngjes kane ardhe lloj-lloj ushtare serb edhe kane fillu me i kontrollua kufomat. Kur janë afrua te unë m’kanë pa qe jam gjallë.Jam plagose në të dy këmbët, në njërën dore dhe krah. M’kane marrë, m’kanë qite ne një dërrasë edhe m’kanë qu në një shpi afër. M’ kane kontrollua ne trup, m’i kane shky teshat edhe aty ma kanë gjetë dukatin që e kisha me veti. Na ra bingo i kam ndi tu bërtite se edhe kështu kam marrë vesh serbisht, se në fshatin tonë ka pas shume serb. Ma kane dhëne një grusht me hapa edhe me thike ja kane nise me m’i heke plumbat. Me një here e kam hup veten e mo s’kam dite kurgjo. Kur jam kfille e kam pa veten në një Spital.
Aty nuk më ka bo kurrfarë intervenimi , më maltretojshin e më thojshin se ti je e UÇK- së ti kemi gjetë rrobat në torbe edhe pse s’kam pas kurrfare rroba të UÇKs. Ne atë Spital kam nejtë deri sa ka mbaru lufta .
Lypsha ndihmë, po kërkush nuk më ndihmojke ,veç ma shpraznin një plastike me alkool, m’jepshin hapa edhe m’thojshin se qeshtu kena me t’lone me vdekë. Për krejt atë kohe i kam përjetu tmerret që nuk mundet njeriu me i paramendu. M’thojshin se je femna e ushtareve tonë. Me tregu me rend se çka më ka ndodh nuk di, se shume shpesh më hupke vetëdija, por e di qe vijshin nga tre a katër vet edhe mi bojshin te tana t’ zezat. Vijshin të pijtë e të drogun se u vike era shume. Nuk e dijsha mo se qfarë dite është, çfare muaji është, e pata hup lidhjen krejt. Kur vijshin motrat në dhomë ju kërkojsha ndihmë,por kerkush ndihme s’me jepke. Krejt kohën më kane lonë të deshne, veç çarshafin mbi trup. Qeshtu ka vazhdu deri sa ka mbaru lufta , kam qenë e izolune në një dhome të Spitalit.
Kur ka mbaru lufta ,m’kanë gjetë vetëm edhe m’thojshin se ku je kon ti, a je kon këtu krejt kohen. Kujtojshin mos jam e smut, a jam tranu. E kapshin kryt në dorë në çfarë gjendje m’kan gjetë. Motra e madhe kur m’ka gjete në Spital nuk më ka njoft kush jam, unë e dijsha që është motra jem e ajo nuk më njihte mua. Menjëherë m’i kan bo disa intervenime edhe m’kanë qu jashtë vendit për shërim.
Kur jam shëruar jam kthye në Kosove, po kam mbete me shumë pasoja në këmbë dhe dore. Ma nuk jam takua me të fejumin. Ka perfundu gjithçka. Të gjithë janë habite qe kam mbet gjallë. Ti hala gjallë je a?! m’thojshin kush më shihte. Kjo” hala gjallë je ti”, m’ka përcjellë në krejt këto vjet . Thuajse është dashtë me vdekë patjetër.
Gjatë këtyne vjetëve nuk kam dashtë me m’pa te ligshtune. Nuk kam dashte me m’pa tu kajte. Sa here m’kane thonë “hala gjalle je ti”, ma kanë shti ndër mend m’i vra vehtën edhe shpesh m’ka shku mendja te kjo punë.
Ma vonë e kam forcu vehten edhe kam thonë se du me jetu edhe mos me ma pa ligështimin.
Tash jetoj vetëm, se nana ka vdekë dhe secili ka ndjeke rrugën e vet. Kur m’kane propozu me u paraqite në grupin e grave te mbijetuarat te Medica Gjakova e kam pas shumë të vështire. Nuk jam mesu me tregu e me fol se çka me ka ndodhe. Me kohë kam fillu me fole, kam fillu edhe me kajte. M’kanë pa t’u kajtë, kur ju kam tregu shoqeve se sa e veqante jam.E veçant kam qenë, se gjyshi gjithmonë m’ka dallu prej fëmijëve tjerë,e veçant kam qenë se gjithmone kam lujtë me shokët e shkolles futboll e ne grupt e djemve mahallë me mahallë, kurre s’kam mungu.
Edhe ne këtë gjendje kam mbetë e veçantë, se të gjithë më kërkojnë ndihmë dhe di të kujdesem për njerëzit e mi. Kam mendua se kurrë s’kam me fol me kerkend për ketë.
E di qe s’kam guxim me dale haptazi me tregu historinë time, por, diçka kam arrite.Kam arrite me ju tregu katër nipave dhe mbesave të mija ndodhinë time. Ata janë mërzite dhe janë tronditë shume.
Ne bashke kemi bo plane qe kemi me ju tregu edhe nipave tjerë, kur unë të vendosi për këtë.
Ndoshta ka me ardhe një dite qe unë bashke me ata kemi me e gjetë fuqinë e me i tregu para botes krimet qe kane ndodhe.
Këtë nuk e di me siguri, veq e kam paramendu!

Rrëfimi është shkruar nga këshilluesja psikosociale

Nderime Xharra Sahatqija, me lejën e të mbijetuarës dhe është shkruar në gjuhën që ajo e ka përdorur.

This post is also available in: English

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *