“Rrëfime nga karantina 21 vjeçare”

Nderime Xharra Sahatqija

– Keshilluese Psikosociale ne

Medica Gjakova
Rrëfime nga karantina 21 vjeçare.

Jeta në pjesën më të madhe duket e lehtë, që me të mund të udhëheqim ashtu siq dëshirojmë ne.
Kur në rrethana të posaqme jemi të goditur nga një fatkeqësi e madhe, kur bëhemi viktimë e dhunës apo në cfarëdo mënyre jeta jonë e deritanishme sociale humb, atëherë bëhet e dukshme thyerja e pabesueshme e ekzistencës sonë jo vetëm psiqike, por edhe asaj fizike.
Besimi jonë në aftesitë tona për zgjidhjen e ngjarjeve të rëndësishme jetësore merr goditje të rëndë.
Përpunimi i një lëndimi, qoftë nga katastrofat natyrore, fatkeqësitë, nga dhuna e shkaktuar prej njeriut apo ndonjë sëmundjeje që e vë jetën në rrezik; secilin njeri e sjell para një provimi të vështirë ndoshta më të rëndësishmin në jetë.
Një provim i tillë na takoi 20.000 grave të Kosovës.
Kanë kaluar 20 vjet qe ne jemi në karantinë.
Këtë nuk e dëshiruam ne, por na karantinuat ju.
Ka kohë qe jemi detyruar të jetojmë në këto kushte.
Ka kohë që kemi praktikuar distancimin social thuase jemi të damkosura.
Gjithë këto vite na detyruat që të heshtim, që të mos tregojmë, duke na lënë të braktisur nga bota juaj.
Ka kohë që lahemi pa pushim se na futët në kokë se jemi të “papastërta”.
Ka kohë qe kemi mësuar të vendosim dorëza, që të mos digjemi edhe me shumë; e kjo mbrojtje dhe kujdes i vazhdueshëm na ka kushtuar duke na sjellë në izolim.
Ka kohë që na vendosët maska me lloj-lloj formash, materialesh e ngjyrash, me qëllim që të mos identifikohemi, me qëllim që të mos zbulohemi, të mos na diktonit lotët edhe kur qanim, e aq më pak buzëqeshjen edhe kur na kish marrë malli të qeshnim.
Dëshironit që të mos diktoheshim që jemi gjallë duke mohuar edhe ekzistencën tonë.
Ky karantinim 20 vjeqar ishte po aq i tmerrshëm sa edhe vet ngjarja që na ndodhi.
Pasojat janë akoma prezente në shëndetin tonë mendor dhe fizik.
Ato pasoja janë prezente edhe në familjet tona.
Por…
Në mes gjithë kësaj ne patëm forcë të mbijetonim. Vetë fakti se mbetëm gjallë tregon forcen tonë.
Me shumë dhimbje e vazhduam jetën.
Për qudi në mes të kësaj dhimbjeje ne edhe u rritëm.
Duket paradoksale dhe shtrohet pyetja: pse a duhet njeriu të përjetojë traumë që të rritet?
Mos duhet që të përjetojmë ngjarje jo të mira për të kuptuar dhimbjen e të tjereve?
Për këtë duhet të vetëdijësohemi se:
Trauma nuk është e domosdoshme për rritje;
Në asnjë mënyrë nuk duhet të supozojmë që trauma është e “mirë”;
Personat mund të zhvillohen dhe piqen në mënyrë kuptimplotë pa përjetuar tragjedi ose trauma;
Ne si gjithë të tjerët i konsiderojmë krizat jetësore dhe traumën si të padëshirueshme dhe dëshirojmë që askush kurrë të mos provojë përvoja traumatike jetësore;
Ne bashkëjetojmë me dhimbjen tonë dhe njëkohësishte me aftesitë tona përballuese që na ka mësuar jeta.
Në këtë kohë karantine për gjithë njerëzimin dëshirojmë të reflektoni, të na kuptoni dhe të hyni në lëkurnë tonë duke u bërë persona aktivë në kauzën tonë.
Janë dashur shumë e shumë vite vetëm që të flitet për ne, të pranoni në hije ekzistencën tonë duke brohoritur:
“Respekt per ju”, “Heroinat tona”…
Tani më është koha që të veproni më shumë sepse nga e thëna në të bërë e ndan një mal.
Behuni pjesë e thyerjes së karantinës sonë, kërkoni drejtësi për ne!
Rrituni edhe ju!

This post is also available in: English

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *